Do mbeten në kujtimet tona: 20 figurat e shquara që humbëm këtë vit

Xing

E Martë 28 Dhjetor 2021, 14:02 / Kategoria XingFeed / 

Këtë vit u ndanë nga jeta shumë figura të shquara shqiptare që kanë kontribuar në artin, sportin e politikën shqiptare. “Xing.al” vendosi t’i risjellë në një artikull të gjithë figurat që na dhanë lamtumirën këtë vit  e që do mbeten gjithnjë në kujtimet tona.

Në 1 janar u nda nga jeta aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Dhimitër Orgocka. Ai ka humbur jetën si pasojë e një hemoragjie cerebrale në moshën 84-vjeçare. Si regjisor, Orgocka ka vënë në skenë 104 premiera në teatrin e Korçës, Fierit, Elbasanit, Prishtinës, Shkupit. Si aktor, ai numëron 82 role të interpretuara në skenat e teatrove shqiptare. I ndjeri mbante titullin "Mjeshtër i madh".

Në 6 janar u nda nga jeta artisti i mirënjohur dhe shumë i dashur për publikun, Kujtim Prodani. Prodani ishte infektuar më COVID-19 dhe për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”, duke qenë se pati nevojë për oksigjen.

Në 13 shkurt u nda nga jeta në moshën 78 vjeçare aktori i mirënjohur Andon Qesari. Lajmin për ndarjen nga jeta të aktorit e dha djali i tij Edon Qesari përmes një postimi në Facebook. Edon Qesari shkruante se artisti ka mbyllur sytë përgjithmonë, pas një sëmundjeje të gjatë, që e rëndoi dhe sfiliti shumë vitin e fundit.

Në 15 shkurt u nda nga jeta muzikanti i njohur Valton Berisha, kitarist i grupit “Purgatori”. Lajmin e bëri të ditur kompozitori Florent Boshnjaku, me anë të një postimi në rrjete sociale.

Në 18 shkurt u shua në moshën 79 vjeçare poeti vlonjat Lefter Çipa. Lajmin për ndarjen nga jeta të poetit e dha djali i tij Aleksandër Çipa përmes një postimi në rrjete sociale. Çipa është ndarë nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Çipa njihet si njeriu që investoi më shumë për polifoninë shqiptare. Ai është autor i 18 librave të botuar me poezi.

Në 1 mars u nda nga jeta kompozitori i njohur dhe shumë i dashur për publikun shqiptar, Agim Krajka. Kompozitori u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare. Krajka ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ai është nderuar me mbi 15 çmime dhe me titullin "Artist i Popullit". 

Në 30 prill u nda nga jeta një nga artistët më të njohur shkodran, Berhan Nehani. Lajmin e bëri të ditur kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, e cila veçoi kohën kur Nehani ishte pjesë e grupit “Karajfilat që ka Shkodra”, që u rikthye sërish prej tij 5 vite më parë.

Në 15 maj u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare një nga boksierët më të mirë shqiptar, Ahmet Golemi. Golemi është shpallur 5 herë kampion i peshës së tij në vendin tonë. Golemi do mbahet mend gjatë për kontributin e dhënë në në boks derisa regjimi i asaj kohe e ndaloi si sport, por edhe për dënimin e paprecedentë të bërë në kohën e komunizmit për agjitacion dhe propagandë. Pas viteve 90′ ai kujtohet për komentimin e ndeshjeve të boksit dhe zërin e tij kumbues, duke qenë padyshim komentatori më i mirë i boksit në vend merituar çmimin “Mjeshtër i Madh” nga presidenti. 

Në 3 qershor u shua aktori dhe regjisori i njohur, Pirro Mani në moshën 89 vjeçare. Ai jetonte prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me të shoqen Pavlina Mani. Pirro mbetet padyshim një ndër personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Për 25 vite ai punoi në Teatrin Kombëtar, ku ka vënë në jetë dhjetra pjesë teatrale. Mani numëron mbi 80 shfaqje në karrierën e tij artistike, si dhe është nderuar me shumë çmime.

Në 6 korrik u nda nga jeta poeti Petrit Ruka. Ruka mbylli sytë përgjithmonë në moshën 67-vjeçare për shkak të një sëmundje të rëndë në zemër, nga e cila vuante prej disa vitesh. Ai ka lënë pas një sërë veprash letrare me disa botime vëllimesh me poezi. Ndërkohë që ka realizuar me shume se 30 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor.

Në 15 gusht u nda nga jeta historiani, filologu dhe përkthyesi i njohur shqiptar, Jorgji Qirjako. Historiani mbylli sytë në moshën 70-vjeçare, në Londër. Ai ka përkthyer rreth 70 vepra, ndërsa në shkurt të këtij viti u dekorua me titullin ”Mjeshtër i Madh” nga Presidenti Ilir Meta.

Në 27 gusht u nda nga jeta muzikanti i njohur shkodran, Kujtim Alija në moshën 60-vjeçare. Ai vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë. Kujtim Alija ishte një dirigjent i njohur shkodran, i cili ka mbajtur titullin “Mjeshtër i Madh”, ndërkohë që drejtonte qendrën kulturore të Shkodrës. Ai vinte nga një familje intelektualësh, të cilët e donin arsimin dhe artin.

Në 29 gusht u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare artisti i madh, Sherif Merdani. Lajmi i trishtë u bë me dije nga miq dhe artistë në rrjetet sociale. Merdani ndërroi jetë si pasojë e një sëmundjeje. Merdani njihet si këngëtar i madh shqiptar i muzikës së lehtë shqipe. Pas Festivalit të 11-të ai, bashkë me disa kolegë të tjerë, përfunduan në burg. Ai vuajti dënimin për 16 vjet. Pas viteve ’90 ka shërbyer si diplomat në ambasadën shqiptare në Romë.

Në 4 shtator u nda nga jeta mjeshtri i Madh i humorit shkodran, Paulin Preka, në moshën 86-vjeçare. Ai vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë. Preka ndërroi jetë në Itali, ku jetonte me familjen e tij. Në karrierën e tij artistike, ai luajti role të karaktereve të ndryshme në llojet e shkurtra të humorit, si komedi me një dhe disa akte, skeçe, dialogë, monologë apo parodi. Ai është vlerësuar me titullin “Artist i merituar”. 

Në 19 shtator u nda nga jeta ish-politikani dhe biznesmeni, Ilir Dashi.  Ilir Dashi ka mbajtur disa pozicione drejtuese, përfshi edhe Drejtorin e QSUT-së, ndërsa në politikë ishte i angazhuar në rradhët e LSI, ku ka drejtuar edhe degën e këaj partie në Tiranë. Dashi gjithashtu ka qenë i angazhuar vite më parë në kinematografinë shqiptare, ku ka luajtur në disa role filmash.

Në 22 tetor u nda nga jeta aktorja e mirënjohur shqiptare Filika Dimo. Aktorja mbylli sytë në moshën 82-vjeçare. Ajo jetonte prej disa vitesh në Belgjikë. Dimo bëri debutimin e saj në kinematografi në vitin 1959 me rolin e vogël të Shpreses në filmin Furtuna. Ajo luajti në 4 filma të tjerë artistikë. Filmi qe e bëri më të njohur dhe më të vlerësuar atë si aktore, është filmi televiziv me 2 seri i RTSH-së "Koha nuk pret", me rolin e Beatrice Shmid, një rol epokal nga më të realizuarit në kinematografinë shqiptare të roleve me spiunazh, rol i cili ka mbetur në kujtesë për interpretimin brilant. 

Në 7 nëntor u nda nga jeta regjisori dhe autori i njohur shqiptar Vladimir Kasaj. Shkak u bë Ishemia cerebrale. Kasaj njihet si autor i shumë filmave artistikë e serialeve televizive si “Flaka e maleve”, “Ditët që sollën pranverën”,“Rikonstruksioni”, “Inxhinieri i minierës”. Ai i kreu studimet në Rumani në Akademinë e filmit rumun.

Në 18 nëntor u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, shkrimtari e dramaturgu i shquar shqiptar, “Kalorësi i urdhërit së Skenderbeut”, “Mjeshtri i Madh”, “Krenaria e Qytetit”, Fadil Kraja. Kraja ka shkruar mbi 50 drama dhe komedi të suksesshme te shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë. Mes tyre përmenden: “Fisheku në pajë”, i cili vetëm në Shkodër u shfaq rreth 500 herë, “Sinjalet e natës”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve” dhe shumë të tjera.

Në 23 nëntor u nda nga jeta artistja e njohur shqiptare Hueyda El Saied. Hueyda mbylli sytë në moshën 46-vjeçare duke mos e fituar dot betejën me kancerin. Huyeda jetonte prej kohësh në Luksemburg, së bashku me të birin Gabrielin dhe me partnerin e saj, Thierryn. 

Në 3 dhjetor u nda nga jeta aktorja e njohur e teatrit, Edi Luarasi. Luarasi luajti një seri rolesh të spikatura, ku veçojmë Lenën tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj./Xing.al

Poll