Rama kritikon ashpër Policinë e Shtetit: Ka korrupsion, mbushet deti me gurë e nuk ka policë, kur ndërhyj unë...

Xing

E Premte 14 Maj 2021, 18:06 / Kategoria Lajmet e fundit / 

Kryeministri Edi Rama nuk i ka kursyer kritikat për Policinë e Shtetit. Në një mbledhje për masat e reja për pastrimin e territorit dhe goditjen e aktiviteteve të paligjshme, ai tha se mes rradhëve të policisë ka korrupsion.

Rama u shpreh se Policia e Shtetit e përdor kapacitetin për të goditur më të dobëtit. Ai përmendi rastin e Sarandës dhe Velipojës ku bëhen ndërtime pa leje po nuk i sheh njeri. Kryeministri tha se policia tregohet shumë e gatshme për të ndërhyrë në zonat rurale ku dikush ka ndërtuar një avlli, ndërkohë që për ndërtimet pa leje që bëhen në sy të të gjithëve nuk ndërhyjnë.

Ai shtoi se ka kërkuar nisjen e një operacioni të menjëhershëm për pastrimin e vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil para fillimit të sezonit turistik.

“Që policia e shtetit e ka kapacitetin të kontrollojë çdo centimetër të territorit këtë e tregon vetëm një fakt shumë i thjeshtë por edhe sakëlldisës për hir të së vërtetës. Kur vjen puna për një mur, për një çati, për një avlli në fund të botës, në zona rurale të thella gjendet polici që shkon atje dhe që i kërkon llogari një fshatari. Ndërsa kur vjen puna për abuzimet në zonat turistike, në buzë të rrugës që nga Velipoja deri në Sarandë, atëherë çuditërisht nuk gjendet i njëjti polic i zellshëm.

Ju e kuptoni shumë mirë pse-në e këtij kontrasti, por ajo që neve na intereson sot është të fokusohemi sot te fakti. Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet për t’u bërë mburojë e Republikës së Shqipërisë. Çdo krim ndaj territorit duhet të jetë për policinë e shtetit i barasvlefshëm me çdo aspekt tjetër që nga krimi i organizuar, te korrupsioni, te trafiku i lëndëve narkotike, njësoj. Kjo duhet përcjellë në të gjithë strukturën. Është e pamundur të vazhdojë të tolerohet një situatë e tillë. Zonat turistike janë si drita e syve për Shqipërinë, baza e zhvillimit.

Nuk e di kush nga ju ma shpjegon dot që ndërkohë që kemi një detyrim përsa i përket qarkullimit rrugor, aksidenteve, rrugët kombëtare të jenë zona me rrezik të lartë për shkak se në anë të tyre zhvillohen aktivitete pa asnjë lloj respekti për një mbrojtje minimale të atyre që qarkullojnë. Kjo është e papranueshme, e palejueshme dhe e dënueshme. Bëhet fjalë për ndërtime në rërë, bëhet fjalë për ndërtime në sy të të gjithëve. Pse u bëka për një fshatar në maj të malit dhe nuk u bëka për atë që ndërtojnë buzë detit? Nëse Policia e Shtetit e merr përgjegjësinë e plotë, me sy hapur në të gjithë territorin atëherë dhe institucionet e tjera do e kenë të pamundur për të mbyllur sytë.

Numri i ankesave nga zonat rurale për prani të policisë është shumë i madh dhe kjo tregon që Policia e Shtetit ka kapacitet, por fatkeqësisht e shfrytëzon këtë kapacitet për të shfrytëzuar më të dobëtit ndërkohë që është larg 100% për të goditur më të fortit. Nuk e di ça përgjigje ka drejtori i Shkodrës për Velipojën. Mjafton ta shohësh për të kuptuar këtë që po them. Jo zonën brenda por rërën por bregun. Atëherë ça morali ka t’i shkohet njërit në majë të Kallmetit për një avlli kur në rërën e Velipojës tjetri ha një territor të tërë pa leje? Është e pamundur që një ndërtim pa leje, një ndërhyrje në det në mes të Sarandës jo në zona të pabanuara, por në mes të qytetit, të ndërhyhet në det, të hidhen gurë e të mbushet me gur deti dhe të mos ndërhyjë asnjë këmbë polici.

Të thotë ej ça janë këto gurë që po hedh në det? Dhe pastaj, të vij puna deri te unë dhe pasi ndërhyj unë për 24 orë të pastrohet ajo, kjo është e papranueshme. Domethënë u bëka! Atëherë pse nuk është bërë? Kush e mban përgjegjësinë? Policia e Shtetit nuk nuk duhet të lejojë që disa individë të njollosin gjithë reputacionin e saj. Jemi të qartë të gjithë se kjo nuk është indiferencë, as mungesë aftësie, kjo nuk është asgjë tjetër përveçse korrupsion, nuk ka emër tjetër. Korrupsion në kurriz të një dynjaje të tërë. Si u hidhkan gurë në të gjithë bregdetin e Shqipërisë dhe nuk i sheh njeri, nga vinë këto gurë e nga kalojnë deri atje? Si mbushet një det i tërë me gurë për të bërë prita, mole e klube dhe nuk i shihka njeri, ndërkohë që avllinë e dikujt në firifistun e kapka policia e që duhet punë, duhet kohë, duhet mund të ecësh deri tek ajo avllia atje, ndërkohë që këto ndodhin spektakël para gjithë dynjasë. 

I kam këkruar ministrit, që bashkë me drejtorin e përgjithshëm, drejtorin e IKMT, ministrin e Turizimit të hartohet dhe të niset operacion nga Velipoja deri në Ksamil. Dhe tani, jo në mesin e verës kur të vijën turistët. Tani. Pa asnjë tolerancë dhe jo duke shkuar te ndërtime që janë bërë para 20 vitesh", ka deklaruar Rama.

MOTI NE TIRANE
Poll