Hatërmbetjet dhe ndërprerja e emisionit: Dalina Buzi flet për vajzat e Hostelit dhe serialin e ri

Xing

E Shtunë 1 Gusht 2020, 23:11 / Kategoria Lajmet e fundit /  Read in English

Seriali "Hostel by Anabel" u mbyll në mënyrë të papritur në muajin maj të këtij viti. Ndërprerja e serialit është komentuar gjatë në rrjet dhe kjo sidomos pas reagimeve të 5 vajzave të Hostelit.

Me anë të disa postimeve në Instastory, vajzat i bënë të gjithë të mendonin se ishin larguar me hatërmbetje nga "Anabeli". Por si qëndron e vërteta? Së fundmi, themeluesja e kompanisë, Dalina Buzi ka folur rreth kësaj çështje.

E pyetur nëse vajzat janë larguar me hatërmbetje, ajo tha se nuk mund të gjykohet rrugëtimi emocional i asnjëres prej vajzave, pasi jo të gjithë e përjetojnë njësoj një ndërprerje marrëdhënieje. Megjithatë ajo theksoi se përgjatë gjithë sezoneve të "Hostel", ka mbizotëruar një marrëdhënie e paqtë.

“Unë nuk mund të gjykoj rrugëtimin emocional të askujt pas një ndarjeje, sepse historia ka treguar, që askush nuk e përjeton njësoj një ndërpreje marrëdhënieje dhe sidomos kur marrëdhënia ka qënë krejtësisht e paqtë përgjatë gjithë sezoneve të këtij projekti. Kam 20 vjet në showbiz dhe kam përjetuar shumë ulje e ngritje e çfarë më ka mbajtur mendjen akoma në vend, janë vetëm leksionet që nxjerr nga çdo situatë dhe që më ndihmojnë shumë të korrigjohem e të përmirësohem në projekte të tjera”, tha Dalina.

Pas ndërprerjes së "Hostel by Anabel" kompania ka njoftuar një projekt të ri, të titulluar "Snob". Snob është një serial i gjinisë teen-drama dhe në qendër janë përplasjet mes të rinjve dhe familjarëve të tyre. Dalina ka treguar se "Snob" ishte një projekt i pamenduar më parë dhe ideja për ta krijuar si projekt ka lindur natyrshëm.

“SNOB” është një prodhim i madh dhe i kushtueshëm dhe për nga cilësia, është një prodhim jo për standardin e Youtube (duke përjashtuar Youtube Premium). #Love#Likes#Tirana ishte një projekt enkas për Youtube,sepse ishte i shkurtër dhe nuk kishte parametra teknikë apo në koncept të përshtatshme për ekranin e vogël, pavarësisht se puna për realizim ka qënë shumë e madhe. Por “SNOB” është një tjetër standard në çdo aspekt. Do jetë televizion apo platformë digjitale pay-per-view, apo qoftë edhe online me pagesë siç është investimi më i ri i Ermal Mamaqit www.filmshqip.al këtë nuk e dimë. Mund të jetë kudo. Ne do të zgjedhim aty ku na leverdis, por e sigurt që do të shihet edhe në cellular”, tha ajo per serialin e ri.