Sot 17 Maji: 10 VIP-at shqiptarë që janë krenarë që i përkasin LGBT

Xing

E Diel 17 Maj 2020, 21:09 / Kategoria XingFeed /  Read in English

Sot 17 Maji, është dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, një datë kur anëtarët e komunitetit LGBTI do të mbanin paradën e përvitshme e quajtur si “Parada e krenarisë”, me synim për të mbështetur të drejtat. Mirëpo për shkak të pandemisë së Covid-19, kjo paradë sot nuk u mbajt dhe për më tepër shumë e harruan pasi tema e ditës ka qenë shembja e teatrit. Megjithatë “Xing.al” vendosi të sjellë më këtë artikull 10 VIP-at shqiptarë që i përkasin këtij komuniteti dhe e kanë shprehur hapur se janë krenarë.

Xheni Karaj, aktivistja e Komunitetit LGBTI është vajza e parë lezbike shqiptare që e ka pranuar hapur prirjen e saj. Xheni ka treguar se prindërit e saj e kanë marrë vesh këtë nga një emision ku ajo diskutonte rreth dashurisë mes femrave .Ka qenë ndër momentet më të vështira të jetës time sepse unë do përballesha me frikën time më të madhe. Për fat të mirë kam dy prindër të mrekullueshëm, është shprehur Xheni. Prej katër vitesh Xheni është në një lidhje me partneren e saj, Livian.

Kristi Pinderi, një nga aktivistët më të njohur të LGBTI dhe që lufton për të drejtat e komunitetit, sot jeton në Kanada me partnerin e tij. Kristi ka treguar se për të pranuar prirjet seksuale do shumë kurajo dhe procesi i pranimit është i vështirë.

“Duhet shumë kurajë, por dua të them se pas kësaj kurajoje jeta bëhet më e mirë, njerëzit jetojnë më plotësisht, janë më të lirë dhe nuk janë në borxh ndaj askujt, as ndaj vetes së tyre sidomos. Kur flasim për familjarë të një personi LGBT, procesi i pranimit ndonjëherë është edhe më i vështirë se vetë procesi që kalojnë anëtarët e komunitetit për t’ia pranuar vetes. Nuk është një përmbysje botësh apo mentalitetesh më shumë se është një rritje e natyrshme dhe në njëfarë mënyre një stërvitje për të mësuar, për të toleruar, për të kuptuar dhe për të dashur pa kushte”, është shprehur Kristi.

Linda Rei theu tabutë e shoqërisë shqiptare pak më vite më parë kur doli në televizion dhe deklaroi se është femër e lindur me trupin e një mashkulli. Transgjinorja ka preferuar të mos flasë shumë për të shkuarën e saj, por vetëm ka treguar se pamjen që ka sot e ka arritur falë operacioneve. Kur është pyetur për identitetin e saj të mëparshëm, Linda është shprehur: "Ka vdekur. Nuk përmenden të vdekurit. Gjyshja më thërret me emrin tim të vjetër, por ai emër nuk ekziston më".

Biznesmeni Elton Ilirjani është një tjetër personazh i njohur që i ka deklaruar hapur prirjet e tij. Eltoni sot jeton në SHBA dhe ka bizneset e tij. Ai ka treguar se familja e kishte marrë vesh orientimin e tij seksual nga një letër e cila kishte bërë bujë.

“Unë simpatizoja dikë dhe i nisa një letër. Ajo letër u bë bujë dhe e morën vesh të gjithë, edhe familja ime. Pas atij momentin babi im më pyeti: Çishte ajo letër? Dhe i tregova se ishte për dikë që kam simpati. Ai u trondit, nuk iu bë qejfi sigurisht dhe më tha: Kjo që ke nisur të bësh është zgjedhja më e vështirë në Shqipëri.Mamaja e kishte më të vështirë ta pranonte, nuk më ka thënë kurrë asgjë, por unë e ndjeja. Kushërira ime në fshat Brunilda ka qenë mbështetje e madhe dhe kur rrija me të isha krejtësisht i qetë”, ka treguar Eltoni.

Pak kohë më parë grimieri shqiptar, Mario Dedivanoviç deklaroi se është gej dhe u shpreh krenar për këtë.

"Jemi njësoj si gjithë të tjerët, të drejtuar nga dëshira për t’u dashur. Me të drejta të barabarta për të qenë të lumtur. Sot, për herë të parë, qëndroj me shumë krenari si 37-vjeçar gay! Dhe në fund të ditës, ndihem i lumtur sepse jam unë. Babi, edhe një gjë tjetër. Të dua po aq shumë sa mamin. Faleminderit të gjithëve", u shpreh Mario. Mamaja i kishte kërkuar herë pas here Marios të hiqte dorë, por ai ishte i vendosur derisa familja e pranoi ashtu siç është.

Një tjetër makeup artist që ka pranuar prirjet e tij seksuale është edhe Dario. "Unë jam mashkull, më pëlqejnë meshkujt dhe pikë. S’mund të ndryshoj!", ka deklaruar Dario. Grimieri ka treguar se në fillim ka qenë e vështirë që nëna e tij ta pranonte këtë fakt. 

“Në fillim e ka marrë vesh motra ime, ajo e dinte pak a shumë thjesht nuk ma thoshte dhe unë shkova vetë t’ja tregoja. Ajo më tha që nuk do ketë asnjë ndryshim mes nesh, mjafton që ma the dhe unë të dua më shumë. Vëllai nuk më tha absolutisht asgjë dhe mami e mori vesh vetë duke dëgjuar biseda në telefon që unë bëja me dikë që kam qenë i lidhur. Ditën tjetër bëmë një bisedë shumë të ftohtë, më tha shiko këto nuk janë gjëra të mira, mos ka ndikuar shoqëria, ti nuk je në rregull e të tjera. Pas një jave e dëgjova mamin duke diskutuar me një kushëri tek shtëpia ime dhe i thoshte që ai është fëmija im sido që të jetë dhe unë kam për ta mbrojtur me mish dhe me shpirt”, ka treguar Dario.

Egla Harxhi gjithashtu theu tabutë duke deklaruar se është në një lidhje treshe, me partnerin e saj Aleksandrin dhe partneren Alesian. Të tre pranuan se ishin shumë të lumtur në lidhjen e tyre, e cila ndonëse nuk zgjati shumë, shkaktoi bujë në media e rrjete sociale. Egla është shprehur se nuk i pëlqejnë kategorizimet dhe nuk e quan veten biseksuale, por ka tërheqje të njëjtë si për femrat ashtu edhe për meshkujt. 

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka deklaruar se është bisekuale dhe krenare. Këngëtarja është shprehur se ka pritur momentin e duhur për të treguar të vërtetën dhe se e dinte që njerëzit do shokoheshin.

"Nuk kisha frikë, prita për një arsye sepse deri tani nuk e kam ndjerë që ishte momenti i duhur. Unë jam e rritur, ndjeva që kjo duhej thënë për të ecur përpara. Jam krenare për veten dhe rrugëtimin që kam bërë për të arritur këtu. Çdo njeri duhet të kalojë këto gjëra që të njohë vetveten. Është një çështje delikate për mua, është historia ime dhe e dija që njerëzit do shokohen sepse nuk kam folur kurrë në publik për këtë", është shprehur Rita.

Gugu gjithashtu bëri bujë pak vite më parë kur deklaroi hapur se është biseksuale. Gugu ka rrëfyer se ka pasur një jetë aktive seksuale si me femrat ashtu edhe me meshkujt./Xing.al