U vranë tragjikisht nga burrat: 5 gratë që nuk duhet t'i harrojmë këtë 8 Mars

Xing

E Diel 8 Mars 2020, 20:08 / Kategoria XingFeed /  Read in English

Ky 8 Mars nisi me urime, me dhurata, me dashuri dhe lule, por ky 8 Mars nisi dhe me trishtim në plot 5 familje shqiptare. Teksa shumë nga ne në 8 Mars gjejmë rastin të përgēzojmë dhe llastojmë me dhurata gratë që kemi në jetët tona dhe të festojmë arritjet e tyre, numri i grave që dhunohen dhe flijohen nga burrat në Shqipëri është alarmues.
Vetëm brenda dy muajve të parë të vitit, u shënuan 5 viktima. Në këtë 8 Mars xing.al zgjodhi ti rikujtojë këto gra që humbën jetën tragjikisht nga duart e burrave që ua kishin besuar.

1. Më 10 Janar, Enkelejda Çapoku në Paskuqan, nënë e një vajze 18 vjeçare, u vra me thikë dhe me mjete të forta (shkop druri dhe levë) nga kunati i saj, Erdet Çapoku.

2. Më datë 1 Shkurt 43 vjeçarja shqiptare, Laureta Zyberi, në Itali u vra nga bashkëshorti 54 vjeçar, Eduart Zyberi. Ai e ka goditur për vdekje disa herë me thikë pas një grindjeje. Dyshohet se arsyeja ka qenë xhelozia. Pas krimit ai ka tentuar të vrasë veten.

3. Me datë 2 Shkurt, shtetasi Lulzim Cuku, goditi tre herë me thikë bashkëshorten e tij, Manjola Cuku. Ngjarja e rëndë ndodhi në Xhafzotaj të Durrësit dhe 45 vjeçari e kreu krimin mizor në sy të fëmijëve. Shkak për këtë krim mizor u bë xhelozia. Autori i krimit u vetëdorëzua në polici.

4. Më 25 Shkurt, shtetasi Fatmir Kolecaj kreu një vrasje të dyfishtë në Rrëshen. Ai vrau ish-gruan, Esmeralda Filopati 36 vjeçare, nëna e tre fëmijëve dhe vëllanë e saj Vledison Filopati 34 vjeç. Pas ngjarjes së rëndë autori i krimit u vetëvra në oborrin e shtëpisë së tij. 

5. Më 27 Shkurt qyteti i Durrësit u trondit nga një ngjarje e rëndë. Një 63 vjeçar, Ruzhdi Tosuni, goditi me levë hekuri gruan e tij 59 vjeçare, Hajdie Tosunin. Viktima ishte duke punuar në dyqan dhe pas një konflikti me bashkëshortin, ky i fundit e ka goditur për vdekje. Në deklaratën e tij aurori i krimit u shpreh "
“Ma solli shpirtin aty ku nuk mban më. Kam 30 vjet që e duroj dhe e vrava. Shkak për konfliktin është bere një zënke qe patëm për çështjen e dyqanit. Punët aty s’po ecnin mirë dhe i thashë ta shesim. Aty nisi gjithçka. Ajo nuk donte."