Nga gratë për gratë: 10 këngët shqiptare me mesazhe të fuqishme që duhen dëgjuar sot

Xing

E Diel 8 Mars 2020, 18:06 / Kategoria XingFeed /  Read in English

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, të gjithë janë sensibilizuar për të përcjellë një mesazh, të tjerë po shpërndajnë urime e të tjerë kanë dalë për të protestuar për të drejtat e grave. Kjo ditë, ne të "Xing.al" na kujtoi disa nga këngët shqiptare që kanë patur e vazhdojnë të kenë mesazhe të fuqishme për femrën. Le t'i rikujtojmë në vazhdim.

Aurela Gaçe - Veten dua gjallë, një këngë që i dedikohet një fenomeni shqetësues, dhunës ndaj grave. Në videoklip Aurela shihet duke luajtur rolin e një gruaje të dhunuar nga bashkëshorti dhe më pas largohet nga ai për të shpëtuar veten e saj e duke dhënë kështu një mesazh.

Pak nga teksti i këngës: "Më lëndon, lëndon e unë e fal. Por do shkoj se veten dua gjallë. Jetën s'ma ka dhënë ai. E t'ma marrë s'ma merr njeri"

Rozana Radi i ka kushtuar disa këngë me mesazhe të fuqishme vajzave e grave, por ajo që na ka mbetur në kujtesë është kënga "Femër". Rozana i këndon femrës dhe fatit të saj që nga lindja deri në vdekje.

Pak nga teksti i këngës: "Ti ke lindur me lot. do largohesh si nënë, po do te mbetesh femër. Femër vetem ti ke zemër, dashuron e verbër. Ti me fatin luan, per pak kohë të duan dhe s'ta kthejnë me huanë, femër... femër... quhej edhe nëna ime"

Lindita Theodori - Kafe Flora plot me burra, kjo këngë jep një mesazh emancipues dhe një mesazh shumë të guximshëm për kohën ku gratë gjykoheshin edhe po të uleshin në një kafe me burra. "Pa shiko, me sytë tërthor. Si shikim konservator. Mos më shih baba ashtu. Unë jam vajzë që vij nga ju", këndon Lindita.

Një tjetër këngë dedikuar vajzave është "Kush ka vajza" nga Irma Libohova. Fraza "Kush ka vajza botën ka", përdoret shumë edhe sot gjatë fjalorit të përditshëm. 

 

Pak nga teksti i këngës: "O jane te mira sa me s'ka, o kush ka vajza boten ka, o jane per moter jane per vella, o jane per nene e per baba, o jane sherbet per bakllava"

Juliana Pasha me këngën "Jeto" i ka dhënë mesazh grave të shtypura e të dhunuara për të gjetur forcën t’ia nisin nga e para. "Ti jeto e forcën brenda shpirtit ta tregosh. Ti jeto, një jetë të bukur nesër të fillosh. Ma shtrëngo ti dorën fort, nuk je vetëm në këtë botë", këndon Juliana.

Një tjetër këngë që i thotë Stop dhunës ndaj vajzave e grave është "C'est la vie" nga Besa, e publikuar pak ditë më parë. 

"Më djegin lotët sytë me t'i pa, sa vështirë e kam ty me t’fal, mami thotë që s’bën ti për mua. T’jet' i drejtë a të jetë dinak. Mashkull lind por burra ka pak! C’est la vie"

Jonida Maliqi dhe Tuna me këngën "Forca e femrës" është një nga bashkëpunimet më të suksesshme të muzikës shqiptare. Dy këngëtaret sollën një këngë me një mesazh për femrat të cilat ndonëse ndjejnë shumë, kanë edhe forcën për t'u larguar.

Refreni i këngës: Ndjenjat rrjedhin si nje lume
skemi faj ne se ndjejme shume
por mos guxo, mos me ndalo
nuk ka me kthim sa do me do ti
jam e forte kur nuk me sheh
une largohem dhe kur ndjej
prandaj degjo, mos me largo
se brenda femres force jeton

Një tjetër këngë dedikuar vajzave e grave është edhe "Femër" nga Teuta Selimi. Në këtë këngë, Teuta i këndon të gjithë vajzave duke përmendur ato me natyrë të brishtë, ato besnike përjetësisht, vajzat me ideale dhe ato fatale. 

"S'ka me keq se te jesh femer. Meshkujt din te therrasin zemer dhe ne fund te shikojne shtrember", këndon Teuta.

Dhe po e mbyllim me një këngë të ëmbël e me një mesazh mbi vetëbesimin. "Kur unë një gjë e du" nga Evi Reçi flet për fuqinë e femrës dhe besimin e tyre në vetvete pavarësisht opinionit të të tjerëve.