Një 2019 plot dashuri: 14 VIPAT shqiptarë që u martuan këtë vit

Xing

E Diel 22 Dhjetor 2019, 17:05 / Kategoria XingFeed /  Read in English

Gjatë vitit 2019 shumë personazhe të njohur të Showbizit kurorëzuan me martesë dashurinë me partnerin/partneren. Dasmat e tyre janë komentuar gjatë në media dhe secila është organizuar në mënyrë përrallore. Dhe pak ditë na ndajnë nga nata e ndërrimit të viteve dhe ne të ‘Xing.al’ kemi menduar t’iu sjellim në listë të VIP-ave që nga beqarë u kthyen në familjarë të përkushtuar:

1. Me datë 30 Mars, këngëtarja e njohur shqiptare, Gresa Behluli, u martua me zv.Presidentin e klubit prishtinas të basketbollit, Lulzim Ibrahimin. Dasma ishte hera e parë kur dyshja u pa bashkë pasi më parë e kanë mbajtur lidhjen jashtë vëmendjes së mediave.

2. Çifti i njohur i showbizit, Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, u martuan në fshehtësi të plotë me 7 Maj. Dasma u zhvillua në bregdet në Maldive, ndërkohë që e pranishme ishte edhe vajza e tyre. Janë dashur 12 vite që dyshja të quhen zyrtarisht burrë dhe grua, por në shpirtin e tyre e kanë ditur gjithmonë se janë bërë për njëri-tjetrin.

3. Me datë 1 Qershor aktori shumë i dashur për publikun, Gaz Paja dhe bashkëshortja e tij, Ira Seferi, kurorëzuan me martesë dashurinë e tyre. Dasma ishte madhështore, organizuar me detaje nga ‘Ami Event’ dhe u komentua gjatë në media. Pjesë e dasmës ishin personazhe të njohur VIP të cilët ndanë vazhdimisht foto dhe video nga momentet më të veçanta të ceremonisë.

4. Me datë 22 Qershor, mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Elseid Hysaj dhe partnerja e tij ish-Miss Shqipëria 2013, Fiorenza Lekstakaj i dhanë fund beqarisë në një dasmë që u mbajt në kalanë e Shkodrës. Në dasmë ishin të ftuar mbi 500 njerëz të cilët u bënë dëshmitarë të kurorëzimit të dashurisë së tyre.

5. Me datë 4 Korrik, Ilda Gega, e cila u bë e njohur për pjesëmarrjen e saj në reality shown Big Brother, u martua me partnerin e saj  me origjinë nga Libani. Dasma u mbajt në Pallatin e Brigadave dhe Ilda dukej si një princeshë me fustanin e bardhë. 

6. Me datë 12 Korrik, aktorja bukuroshe  shqiptare, Fiona Gllavica, e njohur prej rolit në serialin "Ç'ka ka shpija", u kurorëzua në martesë me partnerin e saj, Arbnor Pacolli. Ditën e dasmës aktorja shkëlqeu me fustanin e saj dhe u komentua mjaft në media.

7. Këngëtari shumë i dashur për publikun, Erik Lloshi i dha fund beqarisë duke kurorëzuar në martesë dashurinë me Rominën. Dasma u zhvillua me 17 Gusht dhe mori vëmendjen e gjithë mediave. Ajo u bë sipas traditave shqiptare dhe që në mëngjes Eriku shkoi për të marrë nusen, ndërkohë që në darkë u mbajt ceremonia e madhe.

8. Me 8 Shtator, Maria, vajza e madhe e këngëtarit të njohur shqiptar, Stefi Prifti, u martua me partnerin e saj Gezim Meta. Dasma u mbajt në një nga hotelet luksoze në Tiranë, hotel ‘Plaza’ dhe të ftuar ishin shumë familjar dhe miq të çiftit. Maria dukej si princeshë me një fustan të mrekullueshëm nga Koleksioni 2020 nga "Ami Event". Ceremonia  zgjati dy ditë dhe më pas të gjithë festuan në një nga lokalet më me emër në Tiranë.

9. Me datë 14 Shtator, çifti shumë i dashur për publikun, aktorja Jonida Vokshi dhe producenti Besnik Krapi i dhanë fund beqarisë duke lidhur jetët e tyre me njëri-tjetrin ndërmjet martesës. Ceremonia u mbajt buzë detit dhe më pas nisi dasma madhështore e cila u organizua nga ‘Ami Event’ dhe ishte e tëra si në përrallë. Jonida shkëlqeu me dukjen e saj, si gjatë ceremonisë ashtu dhe gjatë dasmës, ndonëse kishte preferuar një një stil të thjeshtë.

10. Me date 21 Shtator, këngëtari i njohur Blero dhe Afrona Dika kurorëzuan në martesë dashurinë e tyre disavjeçare. Dasma u organizua në Shëngjin dhe të ftuar ishin shumë familjarë, miq e kolegë. Blero shkoi drejt altarit shoqëruar nga e bija, Tara, ndërsa Afrona e shoqëruar nga i ati. Si Blero ashtu dhe Afrona  kanë realizuar shumë fotografi përkrah njëri-tjetrit ose me njerëzit e dashur. 

11. Me datë 5 Tetor producenti Arbër Gjikolli i njohur si Big Bang u kurorëzua në martesë me Blerina Bokshin me një dasmë luksoze ku nuk munguan të ftuarit VIP. Mes të ftuarve VIP përmendim Dhurata Dorën, Encën me motrën e saj Uindin, Diona Fonën, Ledri Vulën, Lyrical Son, Lumi B, Ermal Fejzullahu, Butrint Imeri e shumë të tjerë.

12. Me date 3 Nentor deputeti dhe nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri është kurorëzuar për herë të dytë në martesë. Zekiri është martuar me Bisera Jordanovën e cila është e angazhuar në Agjencionin për inovacion.

13. Me datë 8 Nëntor u martua fotografi i VIP-ave shqiptar, Norik Uka me Krenare Gjikollin. Ato realizuan një album martesor në Maldive, Sri Lanka dhe Stamboll.

14. Me datë 15 Dhjetor, reperi shumë i dashur për publikun MC Kresha u martua me me Erzina Shehun, një shqiptare që jetonte në Kanada e para një viti u rikthye në Kosovë. Dasma u mbajt në një ndër restorantet më luksoze të Prishtinës dhe të ftuar ishin shumë nga personazhet e njohur të Showbizit.