Shtyhet afati për transmetimet analoge, ja deri kur keni kohë t'i blini dekoderat

Xing

E Premte 11 Janar 2019, 15:03 / Kategoria Lajmet e fundit /  Read in English

Ditën e sotme, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, njoftoi se është shtyrë afati për blerjen e dekoderave për qarqet Tiranë dhe Durrës.

Megjithëse afati i fundit ishte parashikuar në datën 15 janar 2019, tashmë ai është shtyrë deri në datën 1 shtator 2019.

Njoftimi i AMA-s

“AMA mban në konsideratë se në qarqet Tiranë dhe Durrës është përqendruar numri më i madh i banorëve dhe evidentohet, bazuar në të dhënat e deritanishme nga operatorët ekonomikë tregtarë, se ende nuk është siguruar sasia e mjaftueshme e dekoderave të tipit DVB-T2. Gjithashtu, duke mbajtur parasysh vendimin nr. 547/2018 të Autoritetit të Konkurrencës, që rekomandon rritjen e sensibilizimit ndaj opinionit publik, për qarqet e Tiranës dhe Durrësit, por edhe në qarqet në vijim ku pritet të ndodhë digjitalizimi, AMA vijon punën për përmirësimin e fushatës informuese për publikun, përfshirë edhe ndryshimin e përmbajtjes së spoteve informuese, njoftimeve, apo zgjerimin e kanaleve të komunikimit.
Kuadri ligjor që normon procesin e digjitalizimit kërkon domosdoshmërisht pajisjen e plotë të audiencës me marrës numerikë, ose dekodera, në mënyrë që të garantohet vazhdimësia e marrjes së transmetimeve televizive edhe gjatë kësaj periudhe tranzitore.
Për këtë qëllim, AMA vijon të nxisë operatorët e tregut që të sigurojnë sasinë e mjaftueshme të këtyre pajisjeve, me qëllim finalizimin e këtij objektivi në qarqet Tiranë dhe Durrës.
Ndërkohë, AMA po finalizon zbatimin e procesit të digjitalizimit të transmetimeve televizive edhe në qarkun e Vlorës, ku është i njëjti afat i mbylljes së sinjalit analog, 1 Shtator 2019. Edhe në këtë qark janë ndezur transmetimet numerike të operatorit publik dhe të disa prej atyre private kombëtare, prej të cilave ofrohet rreth dyfishi i kanaleve televizive pa pagesë, për ato familje që janë pajisur me dekoder DVB-T2.Autoriteti i Mediave Audiovizive
11 Janar 2019″

Këshilla për Marketingun