Ende gjallë, 'e vdekura' troket në kapakun e arkivolit gjatë funeralit

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Peru. Funerali i një gruaje u ndërpre dje kur vetë “e vdekura” nisi të godiste nga brenda arkivolit për të thënë se ishte ende gjallë. Familjarët e shokuar hapën arkëmortin e 36 vjeçares Rosa Isabel Cespede Callaca, ku e gjetën atë me sy hapur.
Rosa bashkë me arkivolin u dërguan në spitalin e Ferrenafe në karrocerinë e një kamionçine, ku menjëherë ajo u lidh me makinerinë që e ndihmonte të qëndronte në jetë. Mjekët konfirmuan se ajo kishte shenja jete, edhe pse të ulëta por të gjithë shpresonin se do të ndodhte mrekullia.
Gjendja e Rosës u përkeqësua shpejt dhe ajo ndërroi jetë disa orë më vonë.
Gruaja ishte përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik në rajonin Chiclayo-Picsi ku kishte humbur jetën kunati i saj dhe ishin plagosur dy nipat.
Policia tha se po heton akuzat e neglizhencës nga ana e spitalit për dërgimin e Rosa në morg, pa kontrolluar më parë nëse ajo kishte vdekur vërtet. Nipërit e Rosas, të plagosur në të njëjtin aksident janë duke u rekuperuar në spital por në gjendje të serioze.