Arti në zi/ Ndahet nga jeta aktorja e madhe e skenës shqiptare, Mimika Luca

Aktorja e madhe e skenës shqiptare, Mimika Luca është ndarë nga jeta në moshën 85 vjeçare. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur djali i saj me anë të një statusi në rrjete sociale ku ka shkruar: E shtrenjta nëna ime, Mimika Luca, sot mori rrugën për në Parajsë!
Mimika Luca u lind në Gjirokastër, më 24 dhjetor të vitit 1937. Ajo interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, nga 1951 – 1962. Më 1962 u pranua si aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si: Suzana, Luçia, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama Cuca e maleve, Sonja, Nica te filmi "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", Laja te "Kur hidheshin themelet", Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.
Mimika Luca interpretoj gjithashtu edhe në shumë filma artistik si “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Përrallë nga e kaluara” (nëna e Marigosë), “Taulanti kërkon një motër” e shumë të tjerë.
Në vitin 1977 ajo u emërua edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës.